Që kur Netflix u themelua më shumë se një çerek shekulli më parë, ka dërguar DVD me porosi me postë në shtëpitë e njerëzve. Por kësaj metode po i vjen fundi pasi kompania ka dërguar drejt klientëve disqet e saj të fundit – duke shënuar kështu ‘fundin e një epoke’.
Pesë qendrat e mbetura të shpërndarjes në California, Texas, Georgia dhe New Jersey kanë dërguar ditën e djeshme DVD e fundit drejt klientëve. Për fat të mirë, nëse jeni një nga shumica dërrmuese e klientëve të Netflix që përdorin vetëm versionin e transmetimit të shërbimit, nuk keni pse të shqetësoheni për ndryshimin. Ndërkohë, nëse jeni ndër ata që presin një nga disqet e fundit të Netflix, pasi të keni mbaruar me të, do të mund ta mbani si suvenir, tregon Netflix.
Kompania zbuloi në prill të këtij viti planin për të hequr dorë nga biznesi i saj i marrjes me qira të DVD-ve pasi ky treg ishte duke u zvogëluar gjithnjë e më tepër për shkak të popullaritetit të transmetimit të videove në internet. Në vitin 2011, biznesi i marrjes me qira të DVD-ve të Netflix kishte 14 milionë abonentë, por kjo ra në vetëm dy milionë në vitin 2019 dhe 1.5 milionë vitin e kaluar.
Qiratë e DVD-ve të Netflix përbënin $126 milionë nga të ardhurat e saj prej $31.6 miliardë vitin e kaluar – vetëm 0.4%.
Në një postim në blog të titulluar “Netflix DVD – The Final Season“, drejtori menaxhues i Netflix, Ted Sarandos tha: “Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë të ofrojmë shërbimin më të mirë për përdoruesit tonë. Por ndërsa biznesi vazhdon të tkurret, kjo do të bëhet gjithnjë e më e vështirë, kështu që ne duam të shkojmë drejt një niveli të lartë dhe do të dërgojmë disqet tona të fundit më 29 shtator 2023. Ato zarfe ikonikë të kuq ndryshuan mënyrën se si njerëzit shikonin seriale dhe filma në shtëpi – dhe hapën rrugën për kalimin drejt transmetimit online“.