Gjatë kohës që Federal Trade Commission (FTC) vazhdon të vlerësojë blerjen e Activision Blizzard nga ana e Microsoft për $69 miliardë, CEO i Microsoft tregon se Sony është kompania e cila nxiti ekskluzivitetin e lojrave të caktuara në konsolat PlayStation.
CEO Satya Nadella u detyrua të jepte dëshminë e tij në seancën dëgjimore FTC kundër Microsoft. Në momentin që ai u pyet në lidhje me lojrat ekskluzive të konsolave të ndryshme, Nadella drejtoi gishtin nga krijuesi i PlayStation.
“Nëse do të ishte në dorën time, unë do të isha shumë i kënaqur që të largoja ekskluzivitetet nga konsolat, por kjo gjë nuk është e mundur nga ana ime, sidomos në pozicionin që Xbox ka në tregun e konsolave si një kompani që zotëron një përqindje të vogël të tregut. Lojtari kryesor në këtë treg (Sony) ka definuar konkurencën duke përdorur lojrat ekskluzive, pra ne jetojmë në këtë botë. Unë nuk e dua aspak këtë botë.”
Ekskluzivitetet e konsolave nuk janë asgjë e re dhe janë përdorur për dekada nga çdo prodhues i madh i këtyre konsolave për të joshur njerëzit që të blejnë një pajisjeje të caktuar. Microsoft është gjendur në një pozicion jo shumë të mirë vitet e fundit, pasi nuk arrinte dot të siguronte ekskluzivitetet e lojrave. Arkane Austin, një studio e vlerësuar nga kritikët, po ndërtonte një version ekskluziv për PS5 të lojës Redfall, deri në momentin që krijuesi i Xbox e bleu atë dhe e ktheu në një ekskluzivitet për Xbox.