Sipas informacioneve më të fundit, gjenerata e ardhshme e konsolave të Sony mund të vijë me një linjë të pazakontë prej tre modelesh: një PS6 S (ose Lite), një version portativ (handheld) dhe një PlayStation 6 normal. Modelet PS6 S dhe handheld pritet të përdorin çipin Canis të ndërtuar nga AMD, ndërsa modeli kryesor do të pajiset me procesorin më të fuqishëm Orion.
Këto të dhëna vijnë nga kanali YouTube “Moore’s Law is Dead”, ku janë dhënë edhe vlerësime për çmimet. Sipas tyre, çmimet mund të variojnë nga 350 deri në $1000, në varësi të kostove të komponentëve dhe faktorëve ekonomikë si tarifat. Konkretisht, PS6 S mund të kushtojë nga 349 deri në $549, versioni portativ nga 499 deri në $699, ndërsa modeli i plotë PS6 nga 699 deri në $999. Për më tepër, modeli kryesor mund të vijë në dy versione, një me disk dhe një vetëm digjital, megjithëse ekziston mundësia që Sony të kalojë plotësisht në një sistem pa disqe fizike.

Nga ana e performancës, çipi Canis pritet të jetë më i fuqishëm se Xbox Series S dhe Nintendo Switch 2, por pak më i dobët se PS5 bazë. Ndërkohë, çipi Orion do të ofrojë një performancë shumë më të lartë për modelin kryesor. Sony dhe AMD po punojnë gjithashtu për përmirësime në teknologjitë si ray tracing dhe path tracing, duke synuar uljen e konsumit të energjisë dhe rritjen e cilësisë grafike.
Mark Cerny nga Sony ka konfirmuar se PS6 është ende disa vite larg, ndërsa thashethemet sugjerojnë një prezantim rreth vitit 2027 ose 2028. Përmirësimet në efikasitetin energjetik dhe teknologjitë e reja mund të bëjnë të mundur edhe zhvillimin e një konsole portative më të avancuar.

