Këtë mëngjes Kryeministri Edi Rama nisi ditën me një postim në rrjete sociale i cili vinte në dukje çantën e re të gjigandit të modës Louis Vuitton. E veçanta e saj, përveç çmimit prej rreth 10,000 euro, janë motivet shqiptare si shqiponja dhe ngjyra e kuqe e përzier me logon LV. Sigurisht që një postim i tillë ngjalli komente patriotike, siç i do rasti, dhe shumë shpërndarje në Facebook, Instagram, Twitter, madje edhe nga shumë persona të cilët kanë një numër të madh ndjekësish.
Por çfarë e bën këtë postim shqetësues është fakti se çanta nuk është aspak “e re” siç thotë Kryeminsitri dhe të gjitha portalet që gjetën rastin të shkruajnë një artikull bazuar vetëm në 2 fjalitë e Z. Rama.
Në fakt, bëhet fjalë për një koleksion të Louis Vuitton i vitit 2018 (PO, 5 vite më parë). Çanta është realizuar nga LV në bashkëpunim me dizajnerin parizian Jay Ahr si pjesë e një koleksioni unik udhëtimi me motive nga shtete të ndryshme si Kazakistani, Argjentina, Japonia, Korea e Veriut etj. Sot, çanta nuk gjendet në koleksionin online të LV, jo sepse është bërë sold-out por sepse i përket një kolesioni të 5 viteve më parë.
A quhet ky një lajm i rremë apo një “click bait” për të gjeneruar disa klikime më shumë? Nëse është i tillë nga stafi i Z.Rama, a është detyra e mediave të kërkojnë për këtë “koleksion të ri” përpara se të shkruajnë për të?
E ndërsa edhe ky, ashtu si shumë të tjerë, do të harrohen pas pak ditësh, Geek Room gjen rastin t’ju vë në dukje faktin se nuk duhet të besoni çdo gjë që shihni online, pavarësisht kush e ka publikuar. Bëhuni më kritik dhe kërkoni vetë për vërtetësinë e tij.