Duket sikur ne gjatë kësaj kohe falë publikimeve të ndryshme jozyrtare kemi arritur të shikojmë produktet finale të Samsung, të cilat do të prezantohen në datën 1 shkurt të vitit të ardhshëm.
Pak ditë më parë u bënë leak dhe ngjyrat e reja që do të vijnë në modelet S23 të Samsung, ngjyra jeshile për S23 Ultra, ngjyra pink për Galaxy S23+ dhe pink/gold për S23. Ditën e djeshme 91mobiles ka publikuar disa pamjet të tjera që duket të jenë pamjet promocionale zyrtare që do të përdoren nga Samsung gjatë eventit në 1 shkurt.
Nëse informacionet e publikuara më parë janë të sakta, këtë vit ne do të kemi për herë të parë përdorimin e proçesorëve Qualcomm (Snapdragon 8 Gen 2) në të gjitha pajisjet, pavarësisht regjionit ku ndodhen. Gjatë viteve përdoruesit e Samsung ishin mësuar të përdornin pajisje me proçesorët Exynos që vetë kompania prodhonte. Me shumë mundësi proçesorët që do të përfshihen në pajisjet S23 do të jenë të veçanta, falë bashkëpunimit mes Samsung dhe Qualcomm për të rritur frekuencën e proçesorëve deri në 3.32GHz.
Mundet gjithashtu të shikojmë në Samsung Galaxy S23 Ultra një sensor 200MP i cili do të jetë ndryshe nga sensori HP1 që kompania i ka shitur Motorola dhe Xiaomi. Përmirësimi kryesor i këtij sensori do të jetë aftësia për xhirimin e videove në rezolucionin 8K 30fps, ndërkohë që sensori i mëparshëm mund të regjistronte në cilësinë 8K në vetëm 24fps.