Muajin e kaluar, Netflix prezantoi një plan të ri abonimi të cilin e kishte shmangur prej vitesh, një plan me çmim më të lirë por me reklama.
Ky opsion më i lirë quhet “Basic with Ads” dhe kushton $6.99 në muaj, ndërkohë që planet e tjera pa reklama kushtojnë $9.99 dhe $19.99 në muaj.
Mirëpo plani “Basic with Ads” vjen me disa limite të tjera, siç tregohet nga disa të dhëna. Është bërë e ditur se në këtë plan shfaqen më pak filma dhe seriale se në kategoritë e tjera të abonimit. Netfilx e pohoi një gjë të tillë kur tregoi se “një numër i limituar filmash dhe serialesh nuk do të jenë të pranishme për shkak të kufizimeve nga liçensat”.
Reelgood, një motor kërkimi për shërbimet streaming, analizoi madhësitë e katalogjeve në planet me reklama dhe ato pa reklama në SHBA. Nga kjo analizë u zbulua se plani me reklama kishte 245 filma dhe 118 seriale më pak se planet e tjera të abonimit.
3 ndër filmat më të mirë që mungojnë në këtë plan janë “Bullet Train”, “Uncharted” dhe “Where the Crawdads Sing”. Që të tre filmat janë prezantuar nga Sony këtë vit dhe lëvizën drejt Netflix si pjesë e një marrëveshje midis dy kompanive. Me sa duket Netflix dhe Sony nuk kanë arritur ende të gjejnë një marrëveshje për përfshirjen e reklamave në film.