Në qoftë se qeni juaj ka nisur të përtojë të kapë topin apo shkopin që ju i hidhni, ju mund të përfitoni nga avancimi i teknologjisë dhe të bëni që qeni juaj të luajë video-lojra.
Joipaw, një startup në Hong-Kong, ka zhvilluar një seri lojrash me prekje për të stërvitur mendjen e 4 putroshëve. Këtu përfshihen lojrat në formën e gjetjes së urithëve në gropa, ku qeni mund të prekë vendin ku urithi ndodhet nëpërmjet hundës së tij, apo rastet ku qentë duhet të zgjedhin anën e ekranit me më tepër flluska.
Zhvilluesit e kësaj loje shpresojnë se video-lojrat do të arrijnë të stimulojnë akoma më tepër trurin e kafshëve, dhe mund t’i shpëtojë ato nga një tip demence të njohur si sindromi i disfunksionit konjitiv.
Ekipi në Joipaw tregon se lojrat janë ende në stadin e parë të zhvillimit, por janë të dizenjuara për t’u lidhur me një ekran me prekje rezistent ndaj lëpirjeve.
Fillimisht qentë mund të stërviten të prekin ekranin duke vendosur pak gjalp kikiriku në ekran, dhe më pas duke e reduktuar sasinë e gjalpit gradualisht. Bashkë-themeluesi Dersim Avdar tregoi për Axios se, pas testimit me 40 qen të ndryshëm, “hapi më i vështirë” ishte stërvitja që qentë të luanin vetë këtë lojë.