Tashmë që përfundoi blerjen e Twitter, Elon Musk i ka dhënë punonjësve ultimatumin e parë: të arrijnë të prezantojnë shërbimin e verifikimit kundrejt pagesës mujore ose të largohen nga kompania.
Ky udhëzim ka si qëllim të ndryshojë planin Twitter Blue të abonimit, i cili aktualisht kushton $4,99 në muaj, në një plan më të shtrenjtë që do të përfshijë dhe verifikimin e përdoruesve. Kompania po mendon të kërkojë $19,99 nga të gjithë personat që do të abonohen në Twitter Blue.
Në planin aktual, përdoruesit e verifikuar kanë kohë 90 ditë për t’u abonuar, përndryshe do të humbasin shenjën blu të verifikimit. Punonjësit që po merren me këtë projekt mësuan se kanë afat deri në datën 7 nëntor për të lançuar shërbimin, ose në të kundërt do të pushohen nga puna.
The whole verification process is being revamped right now
— Elon Musk (@elonmusk) October 30, 2022
Musk është treguar tepër i qartë gjatë këtyre muajve të fundit, ai ka dëshirë të rindërtojë mënyrën se si Twitter ofron shërbimin e verifikimit të adresave. Ditën e diel ai tregoi përmes një tweet-i: “I gjithë proçesi i verifikimit po rindërtohet aktualisht.”
Plani i abonimit Twitter Blue u lançua në të gjithë botën 1 vit më parë si një mënyrë për të lexuar artikuj pa reklama nga disa publikues të caktuar, së bashku me disa shërbime të veçanta në këtë kategori.