Teknologjia e skanimit të pëllëmbës së dorës nga Amazon do të shpërndahet në 65 dyqanet e ndryshme Whole Foods në Kaliforni. Këto pajisje u prezantuan për herë të parë në 2020 si pjesë e shërbimit për pagesa Amazon One, e cila i lejon klientët të paguajnë përmes skanimit të pëllëmbës së tyre. Ky është lançimi më i madh që kompania ka bërë në rrjetin e dyqaneve të Whole Foods.
Klientët mund të krijojnë një adresë të re në Amazon One dhe të regjistrojnë pëllëmbën e tyre në një kioskë ose pikë shitjesh ku këto pajisje përdoren. Për t’u regjistruar, ju duhet të jepni informacionet tuaja bankare dhe një numër telefoni, të pranoni kushtet e shërbimit të Amazon dhe të shpërndani një imazh të pëllëmbës së dorës. Pasi ju të keni përfunduar këtë proçes, do të keni mundësinë të paguani pa patur nevojën për të hapur kuletën apo telefonin, thjesht afroni dorën pranë pajisjes.
Amazon One është pjesë e fushatës së kompanisë për të ndryshuar mënyrën se si klientët ndërveprojnë në dyqanet e shitjes me pakicë së bashku me dyqanet Just Walk Out, të cilat e bëjn shumë më të lehtë pagesën. Amazon One është dizenjuar për t’ju identifikuar me saktësi dhe t’ju lejojë të paguani nëpërmjet dorës tuaj në dyqanet nën pronësinë e Amazon, mirëpo shpreson në të ardhmen që një gjë e tillë të shpërndahet dhe në biznese të tjera.
Amazon pretendon se shenjat e pëllëmbës tuaj nuk ruhen në kioska, por enkriptohen dhe dërgohen në një server të dedikuar Amazon One, megjithatë është disi e frikshme që një kompani të zotërojë të gjitha informacionet mbi dorën tuaj.