Japonia, Singapori dhe Korea e Jugut kanë pashaportat më të fuqishme në botë, duke përmbysur radhitjet para pandemisë ku lista dominohej nga shtetet evropiane.
Një pashaportë japoneze ofron hyrje pa probleme në 193 shtete të ndryshme, një më tepër se Singapori dhe Korea e Jugut, sipas Henley Passport Index nga Henley & Partners, një firmë konsulence për emigracionin.
Sigurisht që pashaportat italiane, gjermane, spanjolle apo austriake mbeten shumë të fuqishme, duke mundësuar lëvizje të lirë drejt 188-190 shteteve të ndryshme. Në vendin e 50-të në renditje gjendet Rusia, me akses në 119 shtete, ndërkohë që Shqipëria renditet vetëm 3 vende më poshtë, në vendin e 53 me lëvizje të lirë drejt 115 shteteve.
Pashaporta e Kosovës renditet në vendin e 104, me lëvizje të lirë në 41 shtete të ndryshme, ndërkohë që në vendin e fundit renditet Afganistani, me lëvizje në vetëm 27 shtete.
Ky indeks përdor të dhëna të grumbulluara prej 17 vitesh, të cilat ndihmojnë personat e pasur dhe qeveritë e ndryshme të vlerësojnë shtetësinë e personave të ndryshëm nga e gjithë bota duke u bazuar në pasaportat që ofrojnë akses pa nevojën për vizë.