Presioni i gjakut është një nga treguesit më të rëndësishëm të shëndetit të zemrës, megjithatë është e vështirë për t’u matur në mënyrë frekuente dhe të bësueshme jashtë një pajisje klinike.
Tashmë studiuesit në University of Texas dhe Texas A&M University kanë zhvilluar një tatuazh elektronik që mund të vendoset në kyçin tuaj në mënyrë të rehatshme dhe të ofrojë informacione të vazhdueshme në lidhje me presionet e gjakut me një saktësi shumë të madhe.
“Presioni i gjakut është shenja më e rëndësishme jetësore që ju mund të masni, por metodat jashtë klinikës janë tepër të limituara.” tha Deji Akinwande, profesor dhe bashkë-drejtues i projektit të publikuar në revistën Nature Nanotechnology.
Presioni i lartë i gjakut mund të çojë në sëmundje serioze të zemrës nëse mbetet i patrajtuar. “Matja e shpeshtë e presionit të gjakut me mjetet aktuale ka shumë limitime, pasi nuk sjellin një pamje të qartë të mënyrës se si trupi juaj po funksionon.” tha Roozbeh Jafari, bashkë-drejtuesi tjetër i këtij projekti.
Ky monitorim i vazhdueshëm nga tatuazhi elektronik lejon që presioni i gjakut të matet në të gjitha situatat: gjatë periudhave tepër stresuese, gjatë gjumit, gjatë stërvitjes. Një tjetër avantazh është dhe kryerja e mijëra matjeve, shumë herë më tepër se pajisjet aktuale.