Gjatë eventit të sotëm WWDC 2022 Apple ka prezantuar dhe disa hardware të reja, ndryshe nga vitet paraardhëse. Bëhet fjala për një MacBook Air të ri, i cili përdor proçesorin më të fuqishëm M2 (të prezantuar gjithashtu gjatë këtij eventi) dhe ka një dizajn tepër të ngjashëm me një MacBook Pro 14 inç falë këndeve më të mprehta.
Kësaj here MacBook Air 2022 vjen me karikimin MagSafe, 2 porta Thunderbolt USB 4 dhe një hapësirë 3.5 mm për kufjet. Laptopi është 11mm i trashë, peshon 1.2 kg dhe do të jetë i disponueshëm në ngjyrat: Silver, Space Grey, dhe ngjyrat e reja Starlight Gold dhe Midnight Blue. Secila prej këtyre modeleve do të shoqërohet me një kabëll MagSafe që i përshtatet ngjyrës.
Çmimi zyrtar i versionit bazë të MacBook Air 2022 do të jetë $1,199, me një CPU me 8 cores, 8GB RAM dhe 256GB internal storage. Një ndryshim i rëndësishëm në këtë pajisje është ekrani 13.6 inç 2560×1664 me korniza më të holla. Është e mrekullueshme se si Apple ka dizenjuar këtë pajisje që të ketë performancë kaq të mirë pa përdorur freskuese të instaluar në brendësi të laptopit.
Kompania tregon se falë proçesorit M2 laptopi do të jetë 40% më i shpejtë se versioni paraardhës. Gjithashtu MacBook Air i ri do të pajiset me një kamera 1080p, së bashku me mikrofon dhe speakers që mbështesin Dolby Atmos.
Një tjetër prezantim ishte dhe një version i MacBook Pro 13″ i cili ka të rifreskuar vetëm proçesorin M2 për $1,299.