Netflix mund të prezantojë së shpejti një plan të ri abonimi gjatë fundit të këtij vitit, i cili do të ketë një çmim më të lirë por do të shoqërohet me reklama.
Kjo gjë u bë e ditur përmes një shënimi që drejtuesit ekzekutiv të Netflix kanë lënë për punonjësit e kompanisë. Në këtë shënim shkruhej se planifikohej prezantimi i planit të abonimit me reklama përgjatë 3 muajve të fundit të vitit 2022. Gjithashtu kompania ka vendosur që gjatë kësaj periudhe të përforcojë aksionin kundër shpërndarjes së password-eve nga përdoruesit e platformës.
Plani i ri duket të jetë një surprizë për të gjithë përdoruesit, madje dhe për vetë bordin drejtues, të cilët kishin premtuar më parë se Netflix nuk do të shfaqte kurrë reklama në platformë. Mirëpo kompania po përballet me disa sfida tepër të mëdha. Gjatë muajit të fundit, platforma njoftoi se humbi mbi 200,000 të abonuar gjatë 3 muajve të para të vitit, dhe pritet që ky numër të shkojë në 2 milionë pas disa muajsh të tjerë.
Që nga publikimi i këtij njoftimi, vlera në treg e kompanisë ka rënë ndjeshëm, me më tepër se $70 miliardë. Reed Hastings, CEO i Netflix, i njoftoi investitorët më herët se kompania do të përllogarisë mundësinë e ofrimit të një plani të mbështetur në reklama, e cila pritet të jetë gati për “1 ose 2 vite”. Me sa duket kompanisë iu deshën vetëm pak muaj për të krijuar një plan të tillë.