Gjatë ditës së sotme Samsung prezantoi një program të ri për vetë-riparimin e pajisjeve, e cila do t’i ofrojë klientëve akses në pjesët e smartphone-ve si dhe në mjetet e duhura për të riparuar pajisjet e tyre.
Ky program është krijuar në bashkëpunim me website-in mjaft të njohur për riparimin dhe shitjen e pjesëve të ndryshme, iFixit. Modelet e para që do të përfitojnë nga ky program do të jenë seritë S20 dhe S21 të smartphone-ve Galaxy, së bashku me Galaxy Tab S7 Plus.
“Ne po punojmë me Samsung për të përmirësuar guidën e tyre të riparimit dhe ofrimin e pjesëve të nevojshme.” tha CEO i iFixit Kyle Wiens. Gjatë kohëve të fundit ka patur një lëvizje të përgjithshme në kompani të ndryshme, si Apple dhe Microsoft, të cilat kanë nisur ofrimin e programeve të riparimit të pajisjeve nga vetë përdoruesit. “Është mjaft e qartë se prodhuesit po kuptojnë nevojën e përdoruesve për riparimin e pajisjeve.” shton Wiens.
Klientët që do të përfitojnë nga ky program do të kenë akses në “një guidë tepër intuitive, vizuale dhe hap pas hapi për riparimin e pajisjeve”. Kur Samsung u pyet nëse është planifikuar përfshirja në këtë program e smartphone-ve më të rinj apo atyre budget si seria Galaxy A, një zëdhënës u përgjigj: “Samsung planifikon të shtojë linjën e produkteve, pjesëve dhe aftësive të vetë-riparimit me maturimin e këtij programi.”
Për pajisjet e konfirmuara, pjesët e listuara do të jenë ekranet, xhamat e pasëm dhe portat e karikimit.