Samsung po përpiqet të mposhtë Apple në garën për të lançuar teknologjinë e parë jo-invazive të monitorimit të glukozës në gjak, si dhe shërbimin e kontrollimit të vazhdueshëm të presionit të gjakut, raporton Bloomberg.
Përpjekjet janë pjesë e lëvizjes më të gjerë të kompanisë për të ofruar më shumë aftësi shëndetësore, të përfaqësuara dhe nga prezantimi i fundit i Galaxy Ring, i cili do të mund të gjurmojë aktivitete të ndryshme gjatë ditës apo dhe gjumin, me më shumë veçori shëndetësore që do të vijnë më vonë.
Në një intervistë të re, shefi i shëndetit dixhital të Samsung, Hon Pak tha: “Nëse ne mund të ofrojmë kontroll të vazhdueshëm të presionit të gjakut dhe nivelit të glukozës në gjak, atëherë lëvizim në një kategori të nivelit tjetër. Mendoj se këtu po përpiqen të arrijnë të gjithë. Ne po konsiderojmë gjithçka, nga miniaturizimi deri te platforma të ndryshme teknologjike që mund të bëjnë një lloj monitorimi të glukozës.”
Pak nuk pranoi të komentojë mbi një kornizë kohore për lançimin e njërës prej veçorive në pajisje specifike Samsung, por beson se teknologjia jo-invazive e monitorimit të glukozës mund të dalë në treg në një formë brenda pesë viteve. Sistemet aktuale të monitorimit të glukozës në gjak zakonisht kërkojnë shpimin e lëkurës, por Apple thuhet se ka punuar për të zhvilluar një qasje unike jo-invazive prej më shumë se një dekade. Kompania besohet se ka bërë përparim të madh me teknologjinë, duke rritur presionin ndaj rivalëve për të ofruar një shërbim konkurrues.