Në një epokë ku kërkesa për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave po rritet me ritme marramendëse, gjigantët e teknologjisë po eksperimentojnë me ide gjithnjë e më të pazakonta. Ideja më e fundit? Qendra të dhënash për inteligjencën artificiale që nuk ndërtohen në tokë, por… në det.
Pas njoftimit të Hitachi, e cila në bashkëpunim me Mitsui O.S.K. Lines po punon për të kthyer anijet ekzistuese në qendra të dhënash lundruese, në skenë ka hyrë edhe Samsung Heavy Industries. Kjo degë e ndërtimit të anijeve, pjesë e Samsung Group, po ndjek një qasje edhe më ambicioze: ndërtimin e anijeve të reja, të projektuara nga zero si Floating Data Centers (FDC).

Samsung HI ka firmosur një marrëveshje me Capital Clean Energy Carriers për të zhvilluar prototipe reale të këtyre qendrave lundruese. Sipas drejtuesve të kompanisë, FDC-të përfaqësojnë një model të ri biznesi që bashkon ekspertizën në ndërtimin e anijeve me infrastrukturën digjitale. Modeli aktual prej 50MW mund të funksionojë si me energji të vetëgjeneruar, edhe duke u lidhur me rrjetin elektrik në tokë.
Dizajni është miratuar tashmë nga American Bureau of Shipping dhe Lloyd’s Register, por testet reale janë thelbësore për të verifikuar qëndrueshmërinë ndaj lagështisë, kripës, vibrimeve dhe ngarkesave intensive të serverëve.
Për këtë arsye, Samsung ka bashkëpunuar edhe me Supermicro për konfigurime të reja serverësh, si dhe me Mousterian Corporation, një startup amerikan i specializuar në infrastrukturë “mbi ujë”.

