Qualcomm ditët e fundit është munduar të disktuojë me Intel për të eksploruar një blerje të mundshme të prodhuesit të çipave, tha një burim i njohur me situatën, në atë që mund të jetë një marrëveshje transformuese në sektor, megjithatë, pengesat janë të shumta.
CEO i Qualcomm, Cristiano Amon është përfshirë personalisht në negociatat për blerjen e Intel, një kompani me eksperiencë 50 vjeçare në treg. Një person tjetër i njohur me situatën tha se Amon ka qenë duke shqyrtuar në mënyrë aktive opsione të ndryshme për një marrëveshje për kompaninë. Në fillim të këtij muaji u raportua se Qualcomm eksploroi mundësinë e blerjes së pjesëve të biznesit të dizajnit të Intel dhe se njësia e saj e dizenjimit të PC ishte me interes të veçantë.
Drejtuesit e Qualcomm po shqyrtonin të gjithë portofolin e bizneseve të Intel. Bisedat me Intel janë në një fazë të hershme. Kompania me bazë në San Diego nuk ka bërë një ofertë zyrtare për Intel, sipas personit të tretë të njohur me këtë çështje. Burimet kërkuan anonimitetin pasi diskutimet janë konfidenciale.
Kjo ofertë nga Qualcomm vjen në një moment dobësie për Intel, i cili dikur ishte prodhuesi më i vlefshëm i çipave në botë, por aksionet e të cilit kanë humbur gati 60% të vlerës së tyre që nga fillimi i vitit. Intel njoftoi planet për të shkurtuar 15,000 vende pune muajin e kaluar pasi humbjet e saj tremujore u rritën në 1.6 miliardë dollarë.
Një marrëveshje, nëse arrihet, ka të ngjarë të përfshijë kontrollin e rregullatorëve antitrust në Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Evropë.
Qualcomm mund t’i kërkohet të heqë pjesë të Intel në mënyrë që të marrë miratimet rregullatore. Një ofertë do të shënonte përpjekjen më të madhe për blerje në industrinë e teknologjisë që kur Broadcom kërkoi të blinte Qualcomm për $142 miliardë në vitin 2018, përpara se presidenti Donald Trump të pengonte shitjen, duke përmendur rreziqet e sigurisë kombëtare.