Edhe pse Apple ka prezantuar një pajisje jashtëzakonisht të fuqishme në fushën e realitetit të shtuar si Apple Vision Pro, raportimet e reja tregojnë se kompania është gjithashtu e vendosur të prodhojë syze inteligjente, diçka më të lehtë, të nxitur nga suksesi që Meta ka pasur me modelin e krijuar në bashkëpunim me Ray-Ban.
Sipas Mark Gurman në buletinin e tij të fundit Power On, Apple është duke punuar në versione të reja të Apple Vision Pro, duke përfshirë një që është më i lehtë dhe më i përballueshëm se origjinali. Por, e gjithë kjo është një hap drejt vizionit madhështor të Cook, i cili nuk ka ndryshuar në një dekadë. Ai dëshiron si përfundim të krijojë syze inteligjente të lehta që një klient mund të përdorë gjatë gjithë ditës.

“Elementi AR do të mbivendos të dhënat dhe imazhet në pamjet e botës reale“, thotë Gurman. Jo vetëm që është “vizioni madhështor” i Cook, por edhe fokusi i tij kryesor, vazhdon raporti. “Cook e ka bërë këtë ide një prioritet kryesor për kompaninë dhe është i vendosur të krijojë një produkt lider në industri përpara se Meta të mundet. Është e vetmja gjë për të cilën ai po shpenzon vërtet kohën e tij nga pikëpamja e zhvillimit të produktit,” këmbëngul Gurman.
Një pajisje e tillë është ende shumë larg, pothuajse të gjithë e pranojnë, por duket se suksesi i Metës me Ray-Bans-in e tij është vënë re nga Apple. Kompania mund të jetë në kërkim të diçkaje të ngjashme.
Po kështu, Apple po kërkon një zgjidhje të përkohshme. Kjo përfshin shtimin e kamerave të fuqizuara nga AI në Apple Watch dhe AirPods gjatë dy viteve të ardhshme. Edhe pse Tim Cook është shumë i interesuar në zhvillimin e një produkti të tillë, nuk ka ende asnjë afat se kur mund të prezantohen syzet inteligjente nga Apple.