Pasi i kërkoi SpaceX dhe Blue Origin të zhvillojnë projektet e tyre për një transportues ngarkesash për misionet e saj Artemis, NASA ka paraqitur planet për t’i përdorur këto transportues për të dërguar pajisje të rënda në Hënë.
Agjencia dëshiron që SpaceX e Elon Musk të përdorë transportuesin e ngarkesave Starship për të dërguar një rover në Hënë “jo më herët” se 2032, ndërsa Blue Origin e Jeff Bezos do të ngarkohet me ofrimin e një habitati në sipërfaqen hënore jo më shpejt se 2033.
Të dyja lançimet do të mbështesin misionet Artemis të NASA-s, të cilat synojnë të kthejnë njerëzit në Hënë për herë të parë në më shumë se 50 vjet. Të dyja kompanitë po zhvillojnë sisteme dhe për transportimin e njerëzve për misionet Artemis – SpaceX për Artemis III dhe Blue Origin për Artemis V.
NASA më vonë u kërkoi të dyja kompanive që të përllogarisin transportimin e pajisjeve dhe materialeve të tjera që peshojnë deri në 15 ton drejt Hënës. Në fillim të vitit të ardhshëm pritet që NASA të nxjerrë propozime për SpaceX dhe Blue Origin.
“Mundësia për të patur 2 ofrues të ndryshëm për pajisje që mundësojnë transportimin e ngarkesave dhe ekuipazhit drejt Hënës siguron fleksibilitet të misionit duke siguruar një ritëm të rregullt të uljeve në Hënë për zbulime të vazhdueshme dhe mundësi shkencore,” tha Stephen D. Creech, zëvendës administrator i NASA-s për programin Moon to Mars, thuhet në njoftim.