ChatGPT është një chatbot mjaft i njohur i fuqizuar nga inteligjenca artificiale i cili është në gjendje të gjenerojë përgjigje me informacione të vlefshme në bazë të pyetjeve që i drejtohen. Teknologjia revolucionare, e cila u lançua në nëntor të 2022, është shndërruar në një ndër shërbimet më të përdorura në internet.
Megjithatë kjo teknologji ka dhe anët e saj negative. Ekspertët janë shumë të shqetësuar nga aftësitë e ChatGPT, pasi ky shërbim mund të përdoret për qëllime të këqija.
Gjatë kohëve të fundit CTO në Open AI, Mira Murati, shprehu gjithashtu shqetësimet e saja mbi aftësitë e chatbot përmes një interviste me revistën Time. Mira Murati mendon se “AI mund të keqpërdoret nga persona keqdashës”.
“AI mund të keqpërdoret nga persona me qëllime të këqija. Për këtë arsye janë ngritur pyetje mbi rregullimin global të kësaj teknologjie. Si do të mund të rregullojmë përdorimin e AI në një mënyrë që përshtatet me vlerat humane?” shtoi Murati.
Kur u pyet në lidhje me përgjegjësinë e rregullimit të këtij shërbimi, nëse duhet të bëhej nga vetë OpenAI apo qeveritë e shteteve të ndryshme, zonja Murati tha: “Është e rëndësishme për OpenAI dhe kompani të ngjashme që të trajtojnë këtë problem për publkun në një mënyrë të kontrolluar dhe të përgjegjshme.”
OpenAI do të ketë nevojë për të gjithë ndihmën e mundshme që do të mund të ofrohet nga qeveritë apo rregullatorët e caktuar.