Microsoft nuk do të ofrojë javën e ardhshme së bashku me kompjuterët e saj të rinj shërbimin “Recall“, i cili është i fuqizuar nga AI dhe që gjurmon përdorimin e kompjuterit, dhe në vend të kësaj do ta ritestojë atë me një grup më të vogël më vonë, tha gjigandi i teknologjisë. Ky shërbim u kritikua menjëherë sapo u mësua për ekzistencën e tij, pasi përdoruesit ishin të shqetësuar për sigurinë e tyre.
Shërbimi Recall regjistron gjithçka që përdoruesit bëjnë në kompjuterin e tyre, duke përfshirë aktivitetet në aplikacione, komunikimet në takime të drejtpërdrejta dhe faqet e internetit të vizituara që përdoruesi mund t’i kërkojë kur duhet të kujtojë diçka që ka bërë, madje edhe muaj më vonë.
Recall tani do të jetë i disponueshëm vetëm si një preview në Windows Insider Program(WIP) në javët e ardhshme në vend që të jetë gjerësisht i disponueshëm për përdoruesit e PC Copilot+ më 18 qershor, tha Microsoft në një postim në blog.
Vendimi është “i rrënjosur në angazhimin tonë për të ofruar një përvojë të besueshme, të sigurt dhe të fuqishme për të gjithë klientët dhe për të kërkuar komente shtesë përpara se ta bëjmë funksionin të disponueshëm për të gjithë përdoruesit e PC Copilot+“, tha kompania.
Kompjuterët Copilot+ janë një kategori kompjuterësh personalë me veçori të inteligjencës artificiale (AI) që u prezantuan në maj. WIP është një program publik testimi i softuerit që lejon përdoruesit më të apasionuar pas Windows të testojnë paraprakisht shërbimet e ardhshme të sistemit operativ.