Meta ka investuar shumë në inteligjencën artificiale dhe realitetin e zgjeruar. Si e tillë, kompania ka nevojë për çipa të avancuar, dhe ka vetëm një numër të vogël kompanish në botë që mund të prodhojnë këto çipa. TSMC është një nga prodhuesit kryesorë, kjo është arsyeja pse të gjitha kompanitë e teknologjisë dynden drejt saj, por edhe Samsung ka krijuar një vend në këtë treg.
Meqenëse kompanive u pëlqen të kenë burime të dyfishta për diversifikimin e zinxhirit të furnizimit dhe reduktimin e kostove të prokurimit, Samsung bëhet një opsion i dytë i vlefshëm për ata që kërkojnë të reduktojnë varësinë e tyre në një kompani për të gjithë çipat e tyre. Ky është pikërisht roli që Meta dëshiron që Samsung të luajë për të.
CEO i Meta, Mark Zuckerberg ishte së fundmi në një vizitë në Korenë e Jugut pas më shumë se një dekade. Ai u takua me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol dhe diskutoi një gamë të gjerë temash me interes të përbashkët. Zuckerberg theksoi statusin e Samsung si një kompani e madhe prodhuese dhe se kjo ishte një pikë kyçe e bashkëpunimit mes dy kompanive.
Drejtori i Përgjithshëm i Meta thuhet se foli për varësinë në rritje të kompanisë së tij nga TSMC për çipa, duke e përshkruar atë si një situatë “të paqëndrueshme“. Një zyrtar i lartë nga zyra presidenciale u tha gazetarëve lokalë se komentet e Zuckerberg sugjerojnë se Meta dëshiron të diversifikojë rrezikun e saj gjatë klimës aktuale gjeopolitike dhe të bëjë që Samsung të prodhojë disa nga çipat e tij AI dhe XR gjithashtu.
Zuckerberg u takua dhe me anëtarin e bordit të Samsung Electronics Lee Jae-yong gjatë udhëtimit të tij në Kore.