Qyteti i Vilniusit në Lituani ka gjetur një zgjidhje interesante për sa i përket kufizimeve të udhëtimeve për shkak të situatës së pandemisë.
Ata instaluan një “portal” që i lidhi në kohë reale me qytetin e Lublinit në Poloni, që ndodhet rreth 600 km larg. Dizajni i përzgjedhur e bën portalin të duket sikur është shkëputur nga filmat fanta-shkencorë. Në të vërtetë portalet e vendosura në këto dy qytete përbëhen nga një ekran i madh i rrumbullakët dhe një kamera që transmeton drejtpërsëdrejti imazhet ndërmjet dy qyteteve, si një urë dixhitale.
“Njerëzimi po përballet me shumë sfida të vështira si polarizimi social, ndryshimet klimatike apo problemet ekonomike. Megjithatë nëse ne shikojmë me kujdes, këto probleme nuk po shkaktohen nga mungesa e liderëve, shkencëtarëve apo teknologjisë, por nga tribalizmi, mungesa e ndjeshmërisë dhe një perceptim i ngushtë për botën që shpesh herë është i limituar në kufijtë tonë nacional.” u shpreh Benediktas Gylys, presidenti i Benediktas Gylys Foundation dhe iniciatori i idesë së krijimit të një “portali”.
Ai thotë se ky projekt do të shërbejë si një urë që i lidh njerëzit dhe i fton ata të lënë mënjanë paragjykimet dhe mosmarrëveshjet që i përkasin të shkuarës. Ky fondacion planifikon gjithashtu të ndërtojë më tepër portale në qytete të tjera të botës.