Në një të ardhme të afërt, është e mundur që smartphone-i juaj i rradhës të fuqizohet nga një proçesor i krijuar nga Intel dhe Arm. Të dyja këto kompani lajmëruan se kanë nisur bashkëpunimin për të krijuar SoC (system-on-chips) me fuqi të ulët.
Në këtë lajmërim tregohet se Intel Foundry Services do të bashkëpunojë me Arm për të krijuar proçesorë të rinj përmes proçesit 18A të Intel, që përfaqëson planin e kompanisë për të prezantuar 5 teknologji të reja shumë të avancuara në prodhimin e proçesorëve gjysëkonduktor brenda 5 vitesh. Për të prodhuar sa më shpejt proçesorët e rinj do të shfrytëzohen fabrikat që gjenden në Evropë dhe në SHBA.
Partneriteti do të fokusohet kryesisht në prodhimin e proçesorëve për smartphone, mirëpo në të ardhmen mund të zgjerohet për të prodhuar proçesorë për makinat, data center apo për programet qeveritare.
“Kërkesa gjithnjë e në rritje për fuqi të shtuar kompjuterike është nxitur nga proçesi i dixhitalizimit të gjithçkaje, mirëpo deri më tani klientët kanë pasur mundësi të limituara në dizenjimin e teknologjive më të avancuara për smartphone. Bashkëpunimi mes Intel dhe Arm do të ofrojë opsione të reja dhe do t’i mundësojë kompanive sistemet më të mira në treg të zhvilluara nga teknologjia më e avancuar.” tha CEO i Intel, Pat Gelsinger.
Qëllimi i Intel është që të shndërrohet në prodhuesin e dytë më të fuqishëm në botë për nga fitimi. Për momentin Samsung ndodhet në këtë pozicion, ndërkohë që në vendin e parë gjendet TSMC.