Gjiganti i kamerave aksion, GoPro, po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e tij. Në një raport të depozituar më 1 qershor pranë Securities and Exchange Commission, kompania paralajmëron për “dyshime serioze mbi aftësinë për të vazhduar aktivitetin”, ndërsa përballet me rënie të shitjeve dhe rritje të fortë të kostove të memories.
Ky sinjal alarmi vjen pas humbjeve të thella financiare, një humbje neto prej 93.5 milionë dollarësh në vitin 2025 dhe 432.3 milionë dollarë në 2024. Dokumentet e fundit tregojnë se presioni financiar po thellohet, sidomos për shkak të rritjes së kostove të harduerit të memories me 80% deri në 110%, si dhe reduktimit të furnizimeve nga partnerët, të ndikuara nga kriza globale e të dhënave dhe rritja e kërkesës për AI.

Raporti evidenton gjithashtu “dobësim të mëtejshëm të shitjeve” gjatë prillit dhe majit 2026, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi aftësinë e kompanisë për të shlyer detyrimet gjatë 12 muajve të ardhshëm. Në dokumentin 8-K theksohet se, pa sigurimin e financimeve shtesë ose një marrëveshje strategjike, GoPro mund të detyrohet të ristrukturojë ndjeshëm aktivitetin, të ndërpresë operacionet apo, në skenarin më ekstrem, të kërkojë mbrojtje nga ligjet federale të falimentimit, megjithëse aktualisht nuk ka plane konkrete për këtë hap.
Megjithatë, një deklaratë e tillë nuk do të thotë domosdoshmërisht falimentim i afërt. Një shembull i ngjashëm është Kodak, e cila vitin e kaluar përballoi një situatë të ngjashme, por arriti të stabilizohej dhe të mbyllte vitin me rritje.
GoPro ka ndërmarrë tashmë masa drastike, përfshirë shkurtimin e 23% të stafit dhe shqyrtimin e mundësisë së shitjes së kompanisë. Shqetësimet për të ardhmen financiare të GoPro mbeten të forta, ndërsa kompania ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar.

