Një prototip i ri dritaresh inteligjente i prezantuar nga studiuesit në University of Pitsburgh është i aftë të absorbojë nxehtësinë në dimër dhe ta reflektojë atë në verë, duke bërë që ju të kurseni energji elektrike.
Kjo veshje e jashtme e përbërë nga substance të ndryshme kimike mund të ndërrojë tërësisht strukturën atomike të dritares duke reflektuar ose absorbuar dritën e diellit në varësi të stinëve. Energjia termale e diellit thithet dhe ri-emëtohet si ngrohtësi në dhomë gjatë dimrit, ndërkohë që gjatë verës nxehtësia reflektohet.
Kjo teknologji që mund të aplikohet në dritaret ekzistuese është tepër “efiçiente dhe e rëndësishme në përdorimin e teknologjisë miqësore me mjedisin”, tregojnë studiuesit.
Veshja e jashtme është vetëm 300 nanometra e trashë dhe gjatë ndërrimit të stinëve ajo lejon transmetimin e dritës në dhomën tuaj në mënyrë të njejtë. “Ky konsiderim estetik është tepër i rëndësishëm në përdorimin e teknologjive miqësore me mjedisin.” tha autori i këtij studimi, Nathan Youngblood.
Përmes përdorimit të kësaj veshjeje në dritaret e shtëpisë, mund të bëhet i mundur kursimi i 20 deri në 35% i energjisë elektrike që nevojitet për ngrohjen apo ftohjen e ambientit, në krahasim me xhamat me dy panele që gjenden në shumicën e shtëpiave.