Anthropic ka prezantuar një funksion të ri për chatbot-in e saj Claude, i quajtur Reflect, i cili synon të ndihmojë përdoruesit të kuptojnë më mirë mënyrën se si ndërveprojnë me inteligjencën artificiale dhe nëse po mbështeten më tepër seç duhet tek ajo.
Në vend që të fokusohet vetëm te produktiviteti, Reflect analizon zakonet e përdorimit të Claude dhe i fton përdoruesit të reflektojnë mbi rolin që AI po luan në jetën e tyre. Funksioni ofron një panel statistikash ku shfaqen temat më të zakonshme të bisedave, modelet e përdorimit dhe detyrat që përdoruesi ia delegon më shpesh chatbot-it. Të dhënat mund të shihen për periudha prej një, tre, gjashtë ose dymbëdhjetë muajsh.
Një nga veçoritë më interesante është se Claude do të bëjë pyetje reflektuese si: “Cila është një gjë që dëshiron të vazhdosh ta bësh vetë, edhe pse Claude mund ta kryente më shpejt?” Këto pyetje synojnë të nxisin përdorimin më të ndërgjegjshëm të inteligjencës artificiale, në një kohë kur ekspertët po paralajmërojnë për fenomenin e “cognitive offloading“, shfrytëzimin e AI dhe për gjëra të thjeshta që mund t’i mendojmë lehtësisht.

Reflect ofron gjithashtu këshilla për të shkruar kërkesa (prompts) më efektive dhe përdor një metodologji të zhvilluar nga Anthropic për të ndihmuar përdoruesit të kuptojnë se cilat detyra ia vlen t’ia delegojnë AI-së dhe kur është më mirë t’i realizojnë vetë.
Sa i përket privatësisë, Anthropic thekson se raportet nuk përfshijnë bisedat e zhvilluara në modalitetin Incognito dhe nuk analizojnë të dhënat nga aplikacionet e lidhura, si emaili apo informacionet shëndetësore. Megjithatë, bisedat mbi tema të ndjeshme, përfshirë shëndetin mendor, mund të përmblidhen vetëm në nivel të përgjithshëm, pa zbuluar detaje specifike.
Funksioni Reflect është aktualisht në fazë beta dhe është i disponueshëm për përdoruesit falas dhe ata me abonim, me kusht që të kenë të aktivizuar funksionin e memories së bisedave.

