Meta ka vendosur të ndërpresë vetëm pak ditë pas prezantimit një nga shërbimet e reja të inteligjencës artificiale, pasi ai shkaktoi reagime të forta lidhur me privatësinë e përdoruesve. Bëhet fjalë për një shërbim të integruar në modelin e ri Muse Image, e cila u lejonte përdoruesve të krijonin imazhe me AI duke përdorur si referencë fotografitë publike të llogarive në Instagram.
Muse Image u prezantua këtë javë si modeli i parë i gjenerimit të imazheve nga Meta Superintelligence Labs dhe ishte i integruar në chatbot-in Meta AI. Përveç krijimit të imazheve nga përshkrimet tekstuale, sistemi mund të përdorte foto publike në Instargram si material hyrës, ndërsa përdoruesit kishin mundësinë të modifikonin rezultatet.
Megjithatë, shërbimi u përball menjëherë me kritika, pasi ishte aktivizuar automatikisht për të gjithë përdoruesit adultë me profile publike në Instagram, pa kërkuar miratim të qartë paraprak. Kjo ngriti shqetësime se fotografitë e publikuara mund të shfrytëzoheshin nga AI pa pëlqimin e drejtpërdrejtë të pronarëve të tyre.

Aktorja fituese e çmimit Emmy, Hannah Einbinder, ishte ndër zërat e parë që e kritikoi publikisht këtë veçori, duke u bërë thirrje ndjekësve të çaktivizonin opsionin. Reagim pati edhe nga sindikata amerikane SAG-AFTRA, e cila përfaqëson aktorët dhe profesionistët e industrisë së medias. Organizata deklaroi se çdo përdorim i imazheve për inteligjencën artificiale duhet të bazohet në një sistem të qartë “opt-in”, ku përdoruesi jep miratimin në mënyrë aktive.
Pas valës së kritikave, Meta konfirmoi se shërbimi nuk është më i disponueshëm. Kompania tha se synimi ishte të ofronte një mjet kreativ duke u dhënë njerëzve kontroll mbi përmbajtjen e tyre publike, por pranoi se reagimet treguan se shërbimi “nuk e arriti qëllimin“.

