Një ekip shkencëtarësh zviceranë ka zhvilluar një material të ri ndërtimi që mund të revolucionarizojë ndërtimin falë aftësive të tij izoluese. Siç shpjegohet në Sci.News, një ekip shkencëtarësh nga Empa (Laboratori Federal Zviceran për Shkencën dhe Teknologjinë) dhe Universiteti i Teknologjisë Sllovake ka gjetur një mënyrë për të reduktuar kërkesat e energjisë për ndriçimin dhe ngrohjen, ventilimin dhe klimatizimin (HVAC) pa patur nevojë për rritjen e trashësisë së shtresës izoluese.
Duke përdorur granula aerogel të oksidit të silikonit, shkencëtarët krijuan një tullë xhami të re, e cila ka një material të tejdukshëm dhe izolues termik. Jo vetëm që është një zgjidhje shumë tërheqëse që do të përmirësonte pamjen vizuale, por gjithashtu do të ndihmonte në kursimin e kostove të ngrohjes duke lejuar diellin të hyjë në ndërtesë dhe të reduktojë përdorimin e dritës artificiale.
“Kjo është performanca më e lartë izoluese e çdo tulle që gjendet në literaturën teknike, e lëre më në treg. Për më tepër, ajo vjen me vetinë e transmetimit të dritës, “tha studiuesi i Empa, Jannis Ëernery dhe kolegët e tij. “Tulla e xhamit me aerogel është e përshtatshme për aplikime në të cilat ka kërkesa të njëkohshme për depërtim të lartë të dritës së ditës dhe mbrojtje e privatësisë, si në zyra, biblioteka dhe muze.”
Aerogel është një material magjepsës i njohur për peshën e tij të lehtë dhe vetitë izoluese, dhe mund të përdoret në aplikime të ndryshme, duke përfshirë izolimin e ndërtesave dhe madje edhe në teknologjinë hapësinore nga NASA.