Një natë e keqe gjumi nuk sjell vetëm lodhje ditën pasuese, por mund të zbulojë edhe rreziqe serioze shëndetësore që shfaqen vite më vonë. Shkencëtarët kanë zhvilluar një program të ri të inteligjencës artificiale, të quajtur SleepFM, i cili mund të parashikojë rrezikun për sëmundje si demenca, infarkti, goditja në tru dhe kanceri, bazuar vetëm në të dhënat e një nate gjumi.
Modeli është trajnuar me rreth 585 mijë orë të dhëna gjumi, të mbledhura nga 65 mijë persona, përmes polisomnografisë, një test që regjistron aktivitetin e trurit, lëvizjet e syve, aktivitetin muskulor, ritmin e zemrës, frymëmarrjen dhe nivelet e oksigjenit. Studiuesit e Universitetit Stanford i krahasuan këto të dhëna me kartelat mjekësore elektronike të pjesëmarrësve, disa prej të cilave mbulonin deri në 25 vite.

Rezultatet treguan se nga të dhënat e gjumit mund të parashikohen rreth 130 sëmundje me saktësi të arsyeshme. Parashikimet ishin veçanërisht të forta për kanceret, komplikacionet e shtatzënisë, sëmundjet qarkulluese dhe çrregullimet mendore. SleepFM përdor një tregues të quajtur C-indeks për të renditur individët sipas gjasës për të zhvilluar një sëmundje më herët. Për shembull, modeli arriti saktësi 89% për Parkinsonin, 85% për demencën dhe 81% për infarktin. Gjithashtu, parashikoi kancerin e gjirit dhe prostatës me saktësi mbi 87%, si dhe rrezikun e vdekjes me 84%.

Edhe pse aktualisht polisomnografia kërkon pajisje klinike të specializuara, studiuesit besojnë se kjo metodë mund të shndërrohet në një mjet të fuqishëm për zbulim të hershëm të sëmundjeve. Ata theksuan se kombinimi i sinjaleve nga zemra, truri dhe frymëmarrja jep rezultatet më të mira. Në të ardhmen, modeli mund të përmirësohet më tej duke integruar të dhëna nga pajisje të veshshme si orët inteligjente.
Article by Xhonald Mamo

