Shkenca kuantike po hyn në një fazë të re, ku proceset më të shpejta të universit nuk konsiderohen më të menjëhershme, por të matshme. Një ekip ndërkombëtar studiuesish nga Universiteti Teknik i Vjenës (TU Wien) dhe Kina ka arritur të studiojë se si nis realisht ndërlidhja kuantike (quantum entanglement), një nga fenomenet më misterioze të fizikës moderne, në shkallë kohe të quajtura attosekonda, një e miliardta e një miliardte të sekondës.
Nën drejtimin e Prof. Joachim Burgdörfer dhe Prof. Iva Březinová, studiuesit nuk u fokusuan te pyetja nëse ndërlidhja kuantike ekziston, pasi kjo tashmë është e provuar, por te mënyra se si ajo krijohet. Me ndihmën e simulimeve të avancuara kompjuterike, ata analizuan se çfarë ndodh kur një atom goditet nga një impuls lazeri jashtëzakonisht i fuqishëm dhe me frekuencë të lartë.
Si pasojë e këtij impulsi, një elektron shkëputet nga atomi dhe largohet, ndërsa një tjetër mbetet brenda, por në një gjendje energjetike të ndryshuar. Pikërisht këta dy elektrone, njëri i lirë dhe tjetri i lidhur, rezultojnë të jenë kuantikisht të ndërlidhur: ato nuk mund të përshkruhen veçmas, por vetëm si një sistem i përbashkët.
Zbulimi më intriguese lidhet me kohën. Elektroni që largohet nuk ka një moment të saktë “lindjeje”. Ai ekziston në superpozicion kuantik, dhe koha e largimit të tij lidhet drejtpërdrejt me gjendjen energjetike të elektronit që mbetet. Diferencat, që arrijnë rreth 232 attosekonda, jo vetëm që mund të llogariten teorikisht, por edhe të maten eksperimentalisht me protokolle të posaçme lazerësh.
Ky studim hap rrugë të reja për teknologjitë kuantike, nga kriptografia te kompjuterët kuantikë, duke lejuar jo vetëm ruajtjen, por edhe kontrollin e momentit kur lind ndërlidhja kuantike. Në këto çaste jashtëzakonisht të shkurtra, shkencëtarët po zbulojnë mekanizmat që mund të ndryshojnë të ardhmen e teknologjisë dhe kuptimin tonë për vetë realitetin.
Article by: Xhonald Mamo

