Apple ka arritur një marrëveshje me Samsung Display për furnizimin ekskluziv të paneleve OLED të palosshme për tre vitet e ardhshme, deri në vitin 2028 sipas The Elec. Kjo do të thotë se Samsung do të jetë furnizuesi i vetëm për gjeneratat e para të pajisjeve të palosshme të Apple, duke përjashtuar konkurrentë si BOE dhe LG Display. Kërkesa për ekskluzivitet erdhi nga Samsung, i cili kërkonte garancipërpara se të ndante teknologjinë e tij më të avancuar me një rival direkt. Apple pranoi për shkak të mungesës së alternativave të përshtatshme, pasi BOE nuk përmbush standardet e saj për cilësi dhe qëndrueshmëri, ndërsa LG Display nuk ka arritur ende prodhim masiv të qëndrueshëm.
Samsung planifikon të nisë prodhimin masiv në tremujorin e dytë të vitit 2026. Megjithatë, objektivat fillestarë janë të ulëta: Apple parashikon të dërgojë rreth 3 milionë njësi në vitin e parë, shumë më pak se parashikimet e mëparshme prej 10 milionë. Kjo reflekton një strategji të kujdesshme për të testuar reagimin e tregut, e ngjashme me lançimin gradual të Vision Pro.
Teknologjia e përdorur për këto panele fokusohet në qëndrueshmëri afatgjatë. Apple po përdor procesin Color Filter on Encapsulation (CoE), i cili eliminon polarizuesin tradicional dhe integron filtrin e ngjyrave në shtresën mbrojtëse, duke reduktuar rrezikun e çarjeve në zonën e palosjes. Gjithashtu, panelet do të përdorin materialin M14, të njëjtin si në iPhone 17 Pro Max, për të siguruar besueshmëri.
Ndërkohë, prodhimi i ekranëve po përparon paralelisht me sfidat inxhinierike. Foxconn ka nisur prodhimin testues dhe pajisja pritet të ketë një strukturë xhami me dy shtresa për të fshehur vijën e palosjes. Apple po punon gjithashtu për të përcaktuar çmimin e “iPhone Ultra” në mënyrë që të ruajë fitimin pa dëmtuar linjën ekzistuese Pro.

