Disa përdorues në subreddit r/GooglePixel kanë raportuar se kanë marrë para nga Google dhe se janë njoftuar nga kompania se këto para po vijnë pasi “kanë ndihmuar në testimin e shërbimeve të reja para se ato të prezantohen për publikun”.
Disa prej tyre tregojnë se kanë marrë një shumë modeste parash, ndërkohë që disa të tjerë kanë përfituar mbi $1,000.
Mendohet se një model i tillë vlerësimi bëhet nga Google për punonjësit e kompanisë të cilët testojnë shërbimet e reja në smartphone-t e tyre para se ato të aksesohen nga publiku i gjerë, por Google duket se po dërgon para aksidentalisht përdoruesve të thjeshtë të pajisjeve Pixel.
Pasi Google mori vesh për këtë gabim, informoi të gjithë përdoruesit që kishin përfituar shuma të tilla se do të mundohej që të tërhiqte pagesën, por në rastet kur kjo gjë nuk do të ishte e mundur, përdoruesit mund t’i mbajnë paratë.
A ishte ndonjëri prej jush një nga përdoruesit fatlum të Pixel?