Nothing po përgatitet të prezantojë zyrtarisht Nothing Phone 4a më 5 mars, që do të jetë produkti më i ri në segmentin e smartfonëve Android me çmim të përballueshëm. Kompania ka publikuar tashmë një render zyrtar që tregon dizajnin transparent të përditësuar dhe një sistem të ri ndriçimi Glyph Bar, i cili zëvendëson shiritat LED të mëparshëm me mini-LED më të kontrollueshëm dhe më të ndritshëm.
CEO i Nothing, Carl Pei, ka konfirmuar se këtë vit nuk do të ketë Phone 4, duke lënë Phone 3 si pajisjen kryesore (flagship), ndërsa linja buxhetore fokusohet te vlera dhe balanca mes dizajnit dhe performancës. Phone 4a synon të ruajë identitetin vizual të markës, duke ofruar një përvojë të pastër dhe minimaliste përmes Nothing OS.

Nga ana e dizajnit, Phone 4a ruan pamjen industriale transparente, duke ekspozuar elementë të brendshëm si spiralen NFC dhe komponentët e karikimit pa tela. Glyph Bar përbëhet nga nëntë mini-LED të kontrollueshëm individualisht, të rregulluar në shtatë forma të dukshme, dhe sipas kompanisë është rreth 40% më i ndritshëm se smartfonët e gjeneratës së kaluar. Ai shërben për shfaqjen e njoftimeve, ziles, kohëmatësit dhe edhe për riprodhimin e muzikës.
Sa i përket specifikave, smartfoni pritet të fuqizohet nga një procesor Snapdragon, me gjasë nga seria e mesme, duke ofruar performancë të balancuar. Konfigurimet e pritshme përfshijnë deri në 12 GB RAM, 256 GB memorie, bateri 5,000 mAh dhe ekran AMOLED 6.7 inç me rifreskim 120 Hz. Kamera kryesore raportohet të jetë 50 MP me stabilizim optik.
Çmimi pritet të variojë mes 400 dhe 450 dollarë, duke e vendosur Phone 4a si rival të fortë në segmentin midrange. Me fokus në dizajn unik, software të pastër dhe identitet të dallueshëm, Nothing Phone 4a synon të jetë një zgjedhje atraktive për përdoruesit që kërkojnë stil dhe funksionalitet në një paketë të vetme.

