Emoji-t janë bërë një pjesë thelbësore e komunikimit të përditshëm digjital, duke shprehur emocione, ide dhe nënkuptime që shpesh fjalët nuk i përcjellin dot. Aktualisht, përdoruesit kanë në dispozicion mbi 3,900 emoji, por kjo listë pritet të zgjerohet me 9 emoji të reja që mund të prezantohen më vonë gjatë vitit 2026.
Emojit e reja u zbuluan pasi u ngarkuan në heshtje në arkivat publike të Unicode dhe më pas u publikuan nga Emojipedia. Mes tyre përfshihen dy gjeste të reja të duarve (gisht i madh i drejtuar majtas dhe djathtas), si dhe një fytyrë me sy të zvogëluar, e cila ka ngjallur entuziazëm të madh në rrjetet sociale. Përdoruesit në platformën X kanë shprehur se kjo fytyrë e re do të përdoret shumë shpesh për të shprehur ironi, dyshim ose humor.

Emojit e tjera të reja përfshijnë një meteor, një far detar, një flutur monark, një gomë fshirëse dhe një rrjetë me dorezë. Megjithatë, këto simbole nuk janë pritur me të njëjtin entuziazëm, pasi disa përdorues mendojnë se janë të ngjashme me emoji ekzistuese, si kometa apo flutura aktuale.
Emoji që ka shkaktuar më shumë reagime është kastraveci turshi. Shumë përdorues e shohin atë si një alternativë humoristike ndaj emoji-t të patëllxhanit, i cili prej vitesh përdoret me nënkuptime seksuale. Reagimet në rrjet kanë qenë kryesisht pozitive dhe plot shaka, duke treguar se ky emoji pritet të përdoret gjerësisht.
Këto nëntë emoji janë pjesë e projektit Emoji 18.0, që pritet të publikohet në shtator 2026, megjithëse janë ende në fazë drafti dhe mund të ndryshojnë. Edhe pas miratimit nga Unicode, do të duhet kohë që kompanitë si Apple, Google dhe Samsung t’i implementojnë ato në pajisjet e tyre, çka zakonisht mund të zgjasë disa muaj ose edhe më shumë.

