Motorola ka njoftuar një bashkëpunim të ri me projektin GrapheneOS, një sistem operativ i fokusuar në privatësi dhesiguri. Sipas kompanisë mëmë Lenovo, kjo është një marrëveshje afatgjatë që synon të ofrojë GrapheneOS si alternativë ndaj versionit standard të Android në disa modele të zgjedhura të telefonave Motorola.
GrapheneOS është një sistem operativ me kod të hapur i ndërtuar mbi Android Open Source Project (AOSP). Kjo do të thotë se ai ruan përputhshmëri me shumicën e aplikacioneve të zakonshme Android, por nuk përfshin shërbimet e Google si parazgjedhje. Sistemi shton një sërë përmirësimesh të avancuara sigurie, duke i lejuar përdoruesit të kontrollojnë në mënyrë më të detajuar lejet për akses në rrjet, sensorë dhe funksione të tjera të pajisjes.

Ndër veçoritë kryesore të sigurisë përfshihet mundësia që sistemi të fshijë automatikisht informacione të ndjeshme nga screenshots, duke parandaluar shpërndarjen aksidentale të të dhënave private. Për më tepër, portat USB‑C mund të çaktivizohen ose të kufizohen vetëm për karikim, duke reduktuar rrezikun e sulmeve që mund të kryhen përmes kabllove të komprometuara.
GrapheneOS mund të jetë veçanërisht i dobishëm edhe për përdorim në mjedise biznesi. Sistemi mbështet deri në 32 profile përdoruesish në një pajisje të vetme, krahasuar me kufirin prej katër profilesh në Android-in standard. Kjo e bën më të përshtatshëm për telefonat që përdoren nga disa punonjës brenda një kompanie.
Përveç kësaj, Motorola planifikon të prezantojë edhe një funksion të ri që heq automatikisht metadata private, si koordinatat GPS, nga fotografitë. Ky funksion po shpërndahet gjithashtu përmes një përditësimi të aplikacionit Moto Secure në programin e sigurisë Motorola Signature.
Kompania ende nuk ka konfirmuar se cilat modele të telefonave Motorola do të jenë të parat që do të ofrojnë GrapheneOS, por bashkëpunimi sinjalizon një fokus më të madh të prodhuesit tek privatësia dhe mbrojtja e të dhënave të përdoruesve.

