Jon Prosser ndau së fundi përmes një videoje të publikuar në YouTube detaje mbi iOS 19 dhe se si do të duket ndërfaqja e re e frymëzuar nga visionOS me ikona më të rrumbullakosura, të cilat mund të aktivizohen përmes disa opsioneve të fshehura si dhe kënde më të rrumbullakosura në përgjithësi në të gjithë ndërfaqjen, si përshembull në Control Center.
Prosser foli gjithashtu për një shërbim mjaft të rëndësishëm të kamerës që pritet të vijë në modelet iPhone 17 Pro, që në fakt debutoi në Samsung disa vite më parë. Bëhet fjalë pikërisht për shërbimin që do t’i lejojë përdoruesit të regjistrojnë video me kamerat e përparme dhe të pasme njëkohësisht.

Kjo është një aftësi që tashmë është e disponueshme përmes aplikacioneve të zgjedhura në App Store, siç është Snapchat, por tani do të disponohet përmes aplikacionit të integruar të Camera.
Regjistrimi i dyfishtë i videos në aplikacionin Camera do të ishte i dobishëm për krijuesit e përmbajtjeve në platforma si YouTube dhe TikTok, duke i lejuar ata të mbivendosin lehtësisht një pamje të fytyrës së tyre mbi një video me pamjen rreth tyre, në mënyrë që shikuesit të mund t’i shikojnë duke folur dhe reaguar.
Seria më e re e smartphone-ve inteligjent të Apple do të prezantohen me shumë mundësi në shtator. Nuk dihet ende nëse ky shërbim do të vijë në modelet e tjera të serisë 17.