U desh të kalonte pak kohë por më në fund smartphone-i i palosshëm shumë i hollë i Honor, Magic V2, është prezantuar tashmë dhe për tregun evropian. Brenda paketimit të këtij smartphone-i do të gjenden disa aksesorë të ndryshëm, ku përfshihen karikuesja 66W, kablli USB si dhe një kasë mbrojtëse për pjesën e pasme.

Megjithatë, pjesa më mbresëlënëse në lidhje me Honor Magic V2 mbetet pesha dhe madhësia e tij. Ky telefon peshon vetëm 231 g – pothuajse aq sa një Galaxy S24 Ultra – pavarësisht se ka një ekran të brendshëm masiv 7,92”. Brenda gjendet një panel LTPO AMOLED me aftësi rifreskimi 120Hz me një rezolucion 2156x2344px. Në pjesën e jashtme, ndodhet ekrani OLED me madhësi 6,43 inç, LTPO me refresh rate 120Hz.
Smartphone-i i publikuar në tregun kinez në vitin 2023 fuqizohet nga proçesori Snapdragon 8 Gen 2, vjen me 512 GB memorie të brendshme dhe 16 GB RAM. Bateria 5,000 mAh është gjithashtu më e madhe se ajo që ofron Samsung Galaxy Z Fold5, megjithatë ky smartphone nuk suporton përdorimin e një stilolapsi. Magic V2 vjen me sistemin operativ MagicOS 7.2 i cili është i bazuar në Android 13, i cili ofron disa shërbime inteligjente që ndihmojnë kryerjen e disa detyrave njëkohësisht.

Në pjesën e pasme gjendet një sistem me 3 kamera, ajo kryesore 50 MP, telefoto 20 MP dhe ajo ultrawide 50 MP. Të pranishme janë dhe 2 kamera të tjera, të cilat mund të përdoren si kur telefoni është I palosur ose I hapur në ekranin e madh. Në ekranin e jashtëm gjendet kamera selfie 16MP, ndërsa ajo në ekranin e brendshëm është e integruar nën ekran.