Platforma desktop për smartphone-t Samsung, DeX, do të ketë më në fund një rival të denjë më vonë gjatë këtij viti.
Që nga koha kur Samsung dhe Google bashkuan forcat për të krijuar App Continuity për pajisjet e palosshme dhe pajisje të tjera, apo që në momentin kur Samsung la pas Tizen për të përdorur Wear OS në orat smart, duket se kompania koreane ka qenë një burim inspirimi për ekipin e dizajnit të software-it në Google.
Gjatë Google I/O ku u prezantua Pixel Fold, ne pamë se si shumë shërbime në këtë pajisje ishin të inspiruara nga seria Fold e Samsung. Dhe Pixel Tablet kishte të përshtatura në të disa nga shërbimet mjaft të mira të One UI, si drag and drop split screen apo taskbar.
Tashmë duket se dhe seria e smartphone-ve Pixel 8 do të inspirohet nga smartphone-t Samsung, duke u pajisur me një modalitet të ngjashëm me DeX. Këto raportime vijnë nga një burim i brendshëm në Google, i cili konfirmoi se Pixel 8 dhe Pixel 8 Pro do të mbështesin USB DiplayPort alternate mode.
“Alternate mode” është specifike për USB-C dhe lejon që ky standard të përdoret për dy gjëra njëkohësisht, për të karikuar dhe për të transmetuar të dhëna video.
Në rast se ju nuk e dinit, Google kishte të përfshirë një desktop mode në opsionet e developer menu që nga Android 10, mirëpo ky modalitet nuk arriti asnjëherë nivelin e Samsung DeX.