Nëse ju e keni të vështirë të vendosni se cili smartphone Galaxy nga seria S24 është i duhuri për ju, Geek Room do jua lehtësojë disi punën duke ju treguar diferencat kryesore midis Galaxy S24, S24+ dhe S24 Ultra.
Forma dhe madhësia
Galaxy S24 dhe S24+ kanë një formë me kënde të rrumbullakosura, ndërkohë që S24 Ultra vjen me një formë drejtkëndore. S24 është pajisja më e lehtë dhe më e vogël e serisë, që peshon 168g dhe ka një ekran me madhësi 6.2”, ndërsa S24+ dhe S24 Ultra kanë ekran më të madh 6.7” dhe 6.8” që peshojnë 197g dhe 233g respektivisht.
Përveç madhësisë, ekrani i S24 Ultra ka një avantazh ndaj ekraneve të tjera për shkak të panelit Gorilla Armor, që është shumë më pak reflektiv nën ndriçimin direkt të dritave apo diellit.
Kamerat
Galaxy S24 dhe S24+ ndajnë të njëjtat kamera në pjesën e pasme, një kryesore 50MP me OIS, një ultrawide 12MP dhe një telephoto 3x 10MP. Galaxy S24 Ultra përdor 2 nga këto kamera, atë ultrawide dhe telephoto, por si lente kryesore përdor atë 200MP me OIS dhe shton një tjetër lente 50MP telephoto me zmadhim optik 5x.
Për sa i përket regjistrimit të videove, të 3 modelet mund të regjistrojnë në rezolucion 8K 30fps.
Performanca
Për performancën midis smartphone-ve nuk keni pse të shqetësoheni shumë, pasi që të treja pajisjet janë të fuqizuara nga i njëjti procesor, Snapdragon 8 Gen 3 në tregun amerikan ose Exynos 2400 në tregun ndërkombëtar (S24 Ultra vjen vetëm me Snapdragon 8 Gen 3).
S24 vjen me 2 opsione memorie: 8GB RAM, 128GB/256GB memorie të brendshme.
S24+ vjen gjithashtu me 2 opsione memorie, por në këtë smartphone janë 12GB RAM të kombinuara me 256GB/512GB memorie të brendshme, ndërkohë që S24 Ultra mund të ofrojë deri në 1TB memorie të brendshme.
Të 3 smartphone-t janë të pajisur me aftësitë e reja të inteligjencës artificiale si Circle to Search, Object Eraser dhe shumë shërbime të tjera.
Diferenca të vogla në madhësinë e baterisë
S24, S24+ dhe S24 Ultra vijnë me madhësi të ndryshme baterish, respektivisht 4,000mAh, 4,900mAh dhe 5,000mAh. S24 dhe S24+ kanë patur një rritje të vogël në kapacitetin e baterisë në krahasim me serinë paraardhëse, ndërkohë që bateria në S24 Ultra nuk ka ndryshuar. Shpejtësia e karikimit është gjithashtu në varësi të modelit.
S24 karikohet me shpejtësi deri në 25W, ndërkohë që S24+ dhe S24 Ultra mund të karikohen në 45W, por karikuesen duhet ta blini veçmas pasi nuk vjen më në kutinë e smartphone-it.
Për sa i përket karikimit wireless, të gjitha pajisjet karikohen në shpejtësinë 15W dhe mund të karikojnë pajisjet e tjera përmes Wireless Power Share në 7.5W.
Cili Galaxy është i duhuri për ju?
Nëse dëshironi të mbani shënime përmes një stilolapsi, të shkrepni fotografi nga distanca apo të shikoni filma në ekranin më të madh, atëherë S24 Ultra.
Nëse dëshironi një telefon të madh që balancon fuqinë, performancën e baterisë dhe eksperiencën e mirë të përdorimit mund të zgjidhni S24+.
Nëse dëshironi të gjitha përfitimet e Snapdragon 8 Gen 3 në një format sa më të vogël të mundshëm, Galaxy S24 është i duhuri për ju.