Zootropolis 2 është shndërruar në filmin e animuar më fitimprurës në historinë e Hollivudit, pasi ka arkëtuar rreth 1.7 miliardë dollarë në mbarë botën. I njohur si Zootopia 2 në disa vende, filmi ka tejkaluar rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Inside Out 2, i cili në vitin 2024 kishte fituar 1.69 miliardë dollarë. Me këtë sukses, Zootropolis 2 renditet si filmi i nëntë më i suksesshëm në historinë globale të arkëtimeve, pas titujve si Avatar, Titanic, Avengers: Endgame dhe Star Wars: The Force Awakens.
Megjithatë, pavarësisht këtij rekordi në Hollywood, filmi i animuar me fitimet më të larta në rang botëror mbetet Ne Zha 2 nga Kina, i cili arkëtoi rreth 2.2 miliardë dollarë vitin e kaluar, kryesisht nga tregu kinez.
Zootropolis 2 u publikua në nëntor dhe pati një buxhet të vlerësuar prej 150 milionë dollarësh. Filmi është vazhdim i suksesit të vitit 2016 dhe rikthen oficerën e policisë Judy Hopps, me zërin e Ginnifer Goodwin, e cila ribashkohet me dhelprën mashtruese Nick Wilde, të interpretuar nga Jason Bateman. Së bashku ata ndjekin një banor të ri misterioz reptilian, Gary De’Snake, me zërin e Ke Huy Quan.
Disney festoi arritjen si një moment historik, duke falënderuar veçanërisht fansat në mbarë botën. Filmi theu rekordin për hapjen më të madhe të një filmi të animuar gjatë fundjavës së Falënderimeve në SHBA dhe u bë prodhimi i animuar i Hollivudit që arriti më shpejt shifrën 1 miliard dollarë në arkëtime globale

