Në Met Gala-n e këtij viti në New York – një ngjarje e famshme për veshjet ekstravagante – sipërmarrësja indiano-amerikane Mona Patel tërhoqi gjithë vëmendjen, jo me fustanin, por me një qen robotik të racës dachshund të quajtur Vector. Ndërsa yje si Kim Kardashian dhe Rihanna shkëlqenin në tapetin e kuq, Patel tërhoqi sytë me këtë shoqërues futurist.
Vector, i zhvilluar në MIT (Instituti i Teknologjisë në Massachusetts), kishte një zinxhir me diamante dhe një kostum të personalizuar. Pajisur me inteligjencë artificiale dhe sensorë, ai lëviz sipas modelesh të programuara posaçërisht.

Patel, e cila ka përfunduar studimet në MIT dhe ka studiuar gjithashtu në Universitetin e Gujarat-it, Harvard dhe Florida, besohet se ka kontribuar edhe vetë në projektimin e tij. Qeni është frymëzuar nga dachshund-i i stilistit Thom Browne, Hector.

Vetë Patel kishte veshur një kostum të dizajnuar nga Thom Browne, me korse, mantel dhe një kapelë të printuar 3D, si dhe një shtyllë kurrizore robotike në shpinë – një nderim për sfondin e saj në inxhinieri. Edhe pse nuk është aq e njohur sa disa nga të ftuarit e tjerë, ajo tërhoqi vëmendje të madhe që nga paraqitja e saj virale me fustanin flutur në Met Gala-n e kaluar.

Ajo është themeluese e radXai, një startup që përdor AI për të përmirësuar imazherinë mjekësore, dhe e Couture For Cause, një organizatë jofitimprurëse që përdor modën për të fuqizuar vajzat dhe gratë në mbarë botën.
“Kam pasur fatin të punoj me inxhinierë të shkëlqyer dhe s’mund të rrija pa sjellë atë pjesë të jetës sime në tapetin e kuq,” tha ajo për Harper’s Bazaar. Me qenin robotik dhe qasjen teknologjike ndaj modës, Mona Patel shndërroi Met Gala-n në një platformë ku tradita takon të ardhmen.