NASA po planifikon që në vitet e ardhshme në Hënë të ndërtojë një sistem hekurudhor që do të ndihmojë në eksplorimin e mëtejshëm të hapësirës.
Projekti, i quajtur “Flexible Levitation on a Track” (FLOAT), është zhvendosur në fazën e dytë të programit të koncepteve të avancuara inovative të NASA-s (NIAC), i cili synon të zhvillojë projekte “fantshkencore” për eksplorimin e hapësirës në të ardhmen. Sipas agjencisë, projekti FLOAT mund të rezultojë në transportimin e materialeve nëpër sipërfaqen e Hënës që në vitin 2030.
“Ne duam të ndërtojmë sistemin e parë hekurudhor hënor, i cili do të sigurojë transport të besueshëm, autonom dhe efikas të ngarkesave në Hënë,” shkroi udhëheqësi i projektit Ethan Schaler, një inxhinier robotik në Jet Propulsion Lab të NASA-s, në një postim në blog. “Një sistem transporti robotik i qëndrueshëm dhe jetëgjatë do të jetë kritik për operacionet e përditshme të një baze të qëndrueshme hënore në vitet 2030.”
Sipas dizajnit fillestar të NASA-s, FLOAT do të përbëhet nga robotë magnetikë që pluskojnë mbi një hekurudhë me tre shtresa për të reduktuar gërryerjen nga pluhuri në sipërfaqen hënore. Vagonët do të montohen në këta robotë dhe do të lëvizin me afërsisht 1.61 km/h. Ata mund të transportonin afërsisht 100 ton material në ditë për në dhe nga baza e ardhshme hënore e NASA-s.
NASA planifikon të dërgojë astronautë përsëri në Hënë që në vitin 2026 si pjesë e misionit Artemis të agjencisë dhe synon të krijojë përfundimisht një bazë të përhershme hënore për të ndihmuar eksplorimin e hapësirës në të ardhmen.