Ok 2020, qetesohu!
Sikur të mos mjaftonin UFO, pandemia dhe vdekja e Kobe Bryant, ky vit u bë edhe më i çuditshëm kur më 20 nëntor mediat vërshuan me imazhet e një blloku metali (monoliti) të mbirë në mes të një shkretëtire në Utah. Lajmi mori dhenë, sidoqoftë ndikuar nga referenca e qartë prej filmit të famshëm të Stanley Kubrick 2001: A Space Odyssey, e më saktë prej interferencës ndër-universale që ardhja e një objekti të tillë paralajmëron për jetën në planet. Në momentin që po flasim ky objekt është zhdukur dhe sipas autoriteteve është hequr nga persona të paidentifikuar.
Por çudia nuk mbaron këtu pasi vetëm pak ditë më parë një monolit i dytë është zbuluar në krahun tjetër të globit, më afër nesh, në Rumani.
Struktura katër metra e lartë, njejtë me të parën, u gjend në po të njëjtat rrethana, krejt papritur, askush nuk di gjë për të.
Ajo u gjend në kodrën BatcaDoamnei në qytetin e Piatra Neamt. Nëse e para u gjend në mes të askundit e dyta u gjend pranë një siti turistik arkeologjik.
Autoritetet kanë nisur investigimet. Ende nuk dihet asgjë, nëse kemi të bëjmë me një shaka të madhe apo Kubrick ka qenë një profet i së ardhmes. Kinefilët e thekur të cilët anojnë pak nga konspiratorizmi do t’a konsideronin këtë të fundit për alternativë.
Sido që të jetë puna, kësaj të dytë nuk i duhen ndarë sytë, madje edhe vëzhgimi me kamera i duhet vënë 24/7, që çfarëdo të ndodhë të dimë kush po ia bën këtë rreng planetit Tokë, i cili së fundmi s’po di të marrë pakëz fryme.