Njëherë e një kohë kërkonin muaj punë e dedikim, sot megjithse as që i afrohet cilësisë, një fytyrë mund ti bashkangjitet një trupi krejt të huaj fare thjeshtë madje vetëm me një aplikacion në smartphone. Mos bëj sikur nuk e di për ç’po bëhet fjalë, të gjithë e kanë parë atë videon në Insta ku i ke vënë fytyrën tënde Ava Maxit në videoklipin Kings & Queens.
Teknika quhet deepfake, dhe në rastet kur përdoret për qëllime përtej argëtimit mund të prodhojë konfuzion serioz sidomos në kohën e “fake news“.
Ndaj për ti dalë përpara punës Microsoft ka sjellë dy shërbime për të luftuar trendin.
E para Microsoft Video Authenticator, analizon materialet foto apo video për të kuptuar në ai është i manipuluar apo jo. Kjo ndodh duke detektuar gjëra që syrit të pastërvitur i shpëtojnë si mjegullimi i lehtë, errësimi dhe vijat.
E dyta pak më largpamëse vjen si pjesë e shërbimit cloud Azure, i cili lejon që një material tëndin ta çertifikosh si origjinal. Kështuqë kur të lindin dyshimet mund të referohesh kësaj librarie për të bërë krahasimin.
A do të zgjidhet gjithçka? Këtë nuk e dimë, një teknologji kaq në rritje kërkon edhe kundër përgjigje aktive. Ndaj edhe teknologjia e Microsoft duhet të jetë e përditësuar gjithmonë.
Padyshim nuk është zgjidhja, por së paku një hap drejt një force kontrolluese.