Indeksi Henley i Pasaportave për këtë vit konfirmon se lëvizshmëria globale mbetet një privilegj i pabarabartë, i përqendruar kryesisht te vendet më të qëndrueshme ekonomikisht dhe politikisht. Për të dytin vit radhazi, Singapori mban vendin e parë në renditje, duke u ofruar qytetarëve të tij akses pa vizë në 192 destinacione. Pas tij renditen Japonia dhe Koreja e Jugut, të barazuara në vendin e dytë me 188 destinacione, duke theksuar forcën e vazhdueshme të pasaportave aziatike.
Evropa dominon numerikisht top10-shen, me pesë shtete si Danimarka, Luksemburgu, Spanja, Suedia dhe Zvicra, të cilat ndajnë vendin e tretë me akses në 186 vende, ndërsa një grup i gjerë vendesh të tjera si Gjermania, Franca, Italia dhe Holanda ndodhen menjëherë pas tyre me 185 destinacione. Pesëshja e parë plotësohet nga Hungaria, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ky i fundit një shembull i qartë i përparimit afatgjatë, pasi ka ngjitur 57 vende në dy dekada.
Megjithatë, jo të gjitha pasaportat evropiane gëzojnë të njëjtën fuqi. Afganistani renditet shumë poshtë në vendin e 60, ndërsa Kosova zë vendin e 59-të me akses pa vizë në 81 destinacione, ndonëse ka bërë përparim të dukshëm duke u rritur me 38 vende që nga viti 2016. Ndërkohë, SHBA mbeten në vendin e 10-të.
Pasaportat shqiptare dhe kosovare vit pas viti
Në krahasim me vitin e kaluar, fuqia e pasaportave të Kosovës dhe Shqipërisë ka mbetur e qëndrueshme, me të njëjtin numër destinacionesh që mund të vizitohen pa vizë. Shqipëria vazhdon të ketë një pasaportë më të fortë se Kosova, me akses më të gjerë pa vizë drejt 121 shteteve duke u renditur në vendin e 43 në listën globale.

