Diamanti i dytë më i madh i gjetur ndonjëherë – përafërsisht 2,492 karatësh – është zbuluar në Botsvana falë teknologjisë së specializuar të rrezeve X.
Guri i çmuar, i zbuluar nga firma kanadeze Lucara, është diamanti më i madh i parë në 120 vitet e fundit që nga zbulimi i Diamantit Cullinan me famë botërore. Guri 3,106 karatësh u gjet në Afrikën e Jugut në vitin 1905 dhe u nda në nëntë gurë të veçantë, shumë prej të cilëve tani janë pjesë e bizhuterive të kurorës britanike.
Nuk dihet nëse diamanti i ri i zbuluar në Botsvana do të copëtohet në pjesë me cilësi më të lartë, por kjo madhësi e gurit të çmuar e bën atë të vlejë dhjetëra miliona dollarë. “Aftësia për të rikuperuar një gur kaq masiv dhe të paprekur me cilësi të lartë tregon efektivitetin e qasjes sonë ndaj rikuperimit të diamantit,” tha CEO i Lucara, William Lamb në deklaratën pas zbulimit.
Lamb tha se firma është tepër e emocionuar nga ky zbulim, që u bë i mundur falë teknologjisë me rreze X e instaluar për herë të parë në 2017. Kjo teknologji është projektuar për të identifikuar dhe ruajtur diamante të mëdha me vlerë të lartë, duke i nxjerrë nga toka pa i thyer ata. Fotot tregojnë gurin e madh që qëndron në pëllëmbën e dorës së dikujt, me shkallën e tij të qartë të demonstruar më tej nga një imazh i tij krahas një topi golfi.
Guri u gjet në minierën Karowe. Dy diamante të tjerë të mëdhenj u gjetën gjithashtu në minierë vitet e fundit – Sewelo 1,758 karatësh dhe Lesedi La Rona 1,109 karatësh. Në vitin 2017, manjati britanik i diamanteve Laurence Graff pagoi $53 milionë për Lesedi La Rona 1,109 karatësh.