Apple Car rezulton të jetë akoma dhe më e njohur se makinat Tesla, dhe pse prodhuesi i iPhone nuk ka kpnfirmuar kurrë zyrtarisht se ka në plan të prodhojë një makinë.
Në një sondazh nga Strategic Vision ku morën pjesë mbi 200,000 pronarë të makinave të reja, Apple u rendit e 3-ta në një listë konsiderimi të brandeve, me 26% të pjesëmarrësve që tregonin se e pëlqenin Apple aq shumë sa që do të konsideronin blerjen e një makine nga kjo kompani (sigurisht nëse do të prodhohet një e tillë).
Apple u rendit pas Toyota dhe Honda në listë dhe la pas Tesla, Lexus, BMW dhe shumë kompani të tjera në listën me 45 kompani të ndryshme. Sipas këtij sondazhi tregohet se gjysma e pronarëve aktualë të Tesla do të konsideronin blerjen e një makine Apple ne të ardhmen.
Apple konsiderohet nga shumica e pjesëmarrësve si kompania me kualitetin më të lartë me 24% të votave, duke lënë pas Toyota me 15% të votave dhe Tesla (11%). Megjithatë 34% e pjesëmarrësve treguan se nuk dinin mjaftueshëm rreth makinës për të bërë një vlerësim.
Dhe pse nuk ka një lajm zyrtar rreth Apple Car, kompania ka dhënë disa detaje rreth këtij projekti nën emrin e koduar “Project Titan”.