Një raportim i ri ka zbuluar se projekti i Apple për krijimin e një makine elektrike, i quajtur “Project Titan” po rrënohet dita ditës nga koha e madhe që po kalon mbi të dhe mungesa e mbështetjes për prodhimin në masë të tyre nga CEO Tim Cook.
The Information tregon se zyrtarët e lartë si Cook dhe Craig Federighi kanë shprehur haptazi shqetësimet e tyre mbi projektin, dhe se kanë shpenzuar shumë pak kohë në zyrat e Santa Clara, ku projekti po zhvillohet.
Më herët gjatë këtij viti, u raportua se një nga makinat testuese të Apple pothuajse u përplas me një person që po vraponte, ndërkohë që lëvizte me një shpejtësi prej vetëm 25km/h. The Information sqaroi se software-i i Apple e njohu vrapuesin si një objekt statik, më pas si një person statik dhe në fund si një këmbësor në lëvizje.
Megjithatë dhe pse njohja e këmbësorit u arrit, makina rregulloi vetëm pak drejtimin e saj. Për fat të mirë drejtuesi human që gjendej brenda në makinë mori kontrollin e makinës duke shkelur fort frenat në momentin e fundit. Nëse shoferi nuk do të ndërhynte, me shumë mundësi makina testuese e Apple do ta kishte goditur këmbësorin.
Një tjetër faktor që nuk e bind Tim Cook në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj makine elektrike është fakti se 28% e amerikanëve nuk do ta konsideronin blerjen e një makine elektrike, sipas Consumer Reports.