Lego krijoi një makinë sportive tërësisht funksionale McLaren P1 me madhësi si ajo reale, nga 342,817 pjesë Lego Technic dhe i kërkoi pilotit të McLaren në F1, Lando Norris të bënte një xhiro në pistën e Silverstone.
Pilotët e F1 e testojnë rregullisht qëndrueshmërinë e makinave në pistë, por nëse ju e dini dhimbjen e shkaktuar nga shkelja me këmbë e një Lego, nuk mund ta imagjinojmë se çfarë ndjesie është të ulesh në një makinë e ndërtuar prej më shumë se 300,000 prej tyre.
U deshën 23 specialistë nga McLaren dhe Lego të cilët shpenzuan gjithsej 8,344 orë për të zhvilluar dhe ndërtuar këtë makinë (6,134 orë në zhvillim dhe 2,210 në prodhim), e cila përmban një motor elektrik të bërë nga bateritë Lego Technic Function dhe një bateri makine elektrike. Produkti përfundimtar peshonte 1,220 kg.
Sipas Lego-s, është “i pari produkt i madh” i tyre që mund të komandohet dhe është i aftë të udhëtojë më larg se çdo model Lego i krijuar më parë. Kompletet Lego Technic të shitura në dyqane kanë kuti ingranazhesh, rrota dhe boshte të ndërtueshme që mund të funksionojnë.
“Motori Lego Technic përbëhet nga tetë pako motorësh, secila e përbërë nga 96 motorë Lego Poëer, që do të thotë se makina përmban gjithsej 768 motorë Lego,” sipas kompanisë. “Tetë pakot e motorëve imitojnë V8 që shihet në McLaren P1 origjinal.”
Norris, i cili aktualisht është i dyti në renditjen e pilotëve F1 këtë sezon pas Max Verstappen të Red Bull, voziti makinën Lego rreth pistës në Silverstone, ku Norris përfundoi i treti në Çmimin e Madh të Britanisë në korrik. Makina dukej në gjendje të arrinte një shpejtësi të mirë në videon e mësipërme.
“Ndihej si një makinë,” tha Norris, duke vënë në dukje se ai e drejtoi makinën me kujdes pasi vuri re që pasqyrat anësore lëkundeshin ndërsa makina lëvizte.